Elbasani në prag të hapjes së Normales
Vendosur në mes të rrugëve tregtare, të lidhura nga një anë me krahinat e brendshme të Ballkanit, veçanërisht me Selanikun, Sofjen e Stambollin dhe, nga ana tjetër, me krahinat veriore dhe jugore të vendit, duke qenë njëkohësisht edhe qendër sanxhaku, ku ndodheshin edhe fuqi të mëdha ushtarake, Elbasani mori një hov të shpejtë zhvillimi të gjithanshëm. Brenda një shekulli nga themelimi i tij (1466), e deri në vitin 1570, ky u bë një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike e administrative të vendit. Ndërsa në shekullin XVII, Elbasani, sipas raportit të peshkopit Nikollë Mekajshi (1609), konsiderohej si kryeqendra (metropoli) e Shqipërisë dhe njëkohësisht si një qytet me popullsi të madhe e lagje të shumta. Disa vjet më vonë (1635) Frang Bardhi e cilësonte atë me fjalët "urbs popoloso", kurse E. Çelebiu, i cili thotë se aty priteshin edhe monedha, i tërhequr nga natyra e vendit e quan "nuse të Shqipërisë".

Në gjysmën e parë të shekullit XVII në Elbasan kultivoheshin 45 zeje të ndryshme dhe, më tej, në gjysmën e dytë të këtij shekulli, numri i tyre arriti në 60 lloje zejesh, ndërsa pazari i Elbasanit, në shekullin XVII kishte 900 dyqane.
Nga të gjitha qendrat e Shqipërisë së Mesme, - vijon studiuesi Z. Shkodra, - rëndësinë më të madhe ekonomike vazhdon ta ruajë ende kryeqendra administrative e Sanxhakut, Elbasani. Dalja në skenë e Tiranës dhe e Kavajës si qendra administrative ekonomike, pengoi në një farë mase ritmin e shpejtë të zhvillimit social-ekonomik të Elbasanit. Megjithatë, i vendosur në një pikë të rëndësishme të rrugës së vjetër tregtare, Via Egnatia, e cila nga Durrësi çonte në Maqedoni, duke kaluar nëpër Manastir e Selanik, Elbasani, si një qytet i fuqishëm zejtar, me një organizim të avancuar esnafor dhe me një popullsi prej rreth 15-20 mijë frymësh, vazhdoi edhe gjatë shekullit XVIII të kryente funksione të një kryeqendre të rëndësishme ekonomike, e cila, përveç Shqipërisë Qendrore, përfshinte në sistemin e vet tregtar ndërkrahinor edhe zonën maqedone përreth Strugës dhe Ohrit.
Në këtë mjedis të zhvilluar ekonomik, tregtie dhe komunikimi, me kushte të favorshme natyrore, por edhe të një psikologjie që kultivohej drejt punës, përpunimit dhe lulëzimit të gjithanshëm, padyshim që do të krijoheshin vlera edhe në fushën e kulturës, artit dhe arsimimit. Dëshmi të kësaj tradite të përvijuar shekull pas shekulli janë kontributet e piktorëve të mëdhenj Onufri, David Shpataraku, kontributet e Anonimit të Elbasanit, Dhaskal Todhrit, Kostandin Kristoforidhit etj. Këto personalitete të artit, kulturës dhe dijes shqiptare, që shekull pas shekulli sollën vlera të shkëlqyera në fondin e kulturës shqiptare, me një peshë të rëndësishme jo vetëm lokale, por edhe kombëtare, janë studiuar në vijimësi, qysh nga fillimi i shekullit tonë nga studiuesit albanologë e kulturologë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit.
Padyshim, vlera të tilla të përvijuara në shekuj ëhasim edhe në qendra a kryeqendra, qytete a treva të tjera të Shqipërisë. Për më tepër, gjysma e dytë e shekullit XIX dhe dhjetëvjeçari i parë i shekullit XX u karakterizuan nga një zgjim energjish, politikash dhe zhvillimesh në tërë hapësirën tonë kombëtare. Të tëra qendrat dhe kryeqendrat meritonin dhe kërkonin në mënyrë dinjitoze zhvillime edhe të institucioneve arsimore, diturore, artistike etj., të cilat, në mënyra të ndryshme dhe segmente kohorë të ndryshëm, i themeluan dhe zhvilluan suksesshëm.
Por, në këtë kontekst vlerash gjithëkombëtare, sukses i politikës arsimore (të përvijuar nga forcat atdhetare, intelektuale dhe shkencore të kohës, edhe në mungesë të shtetit të formuar) ishte përzgjedhja e tipit të institucionit që do të themelohej në atë segment kohor, si plotësim i domosdoshmërive parësore për kohën dhe, sidomos, për të ardhmen; nga ana tjetër.
Në përputhje me tipin e institucionit dhe funksionin e tij, sukses dhe përgjegjësi do të ishte edhe përzgjedhja e trevës në të cilën ai do të themelohej e zhvillohej. Nëse merita e parë gjen motivim në pjekurinë dhe koherencën e asaj politike arsimore që po përvijohej, dhe që afroi zgjidhje në kohën e duhur, treguesi i dytë i suksesit mbështetej në ato cilësi dhe karakteristika që ishin përvijuar, dhe ato të tjera që po përvijoheshin në potencë e që në mënyrë hipotetike parashikoheshin si synime, dhe që për 2-3 dhjetëvjeçarë u bënë realitet. Ishte përzgjedhur qyteti që kishte përvijuar vlera dhe mund të prodhonte sërish të tilla.
Elbasani dëshmoi qartë në historinë e atyre dhjetëvjeçarëve se ishte qyteti ku bamirësia dhe filantropia ishin drejtuar aq mrekullisht për nga arsimi, dija, kultura. Nuk janë të shumtë rastet (ndoshta tepër, tepër të paktë), ku ndjenja e qytetarisë të drejtohet, së bashku me ndjenjën e bamirësisë, aq intensivisht drejt institucioneve të kultit të dijes e kulturës. Është Elbasani i atyre dhjetëvjeçarëve që shënon një vlerë të kristaltë bamirësie, duke pasur prona publike e në shërbim të publikut objekte të tilla si Biblioteka "Baholli", Shkolla e Kuqe apo kinemaja e qytetit etj. Ato janë vlera të qytetit, të përftuara pikërisht nga këto akte, rrjedhojë e atij mentaliteti të krijuar.
Dhe bamirësit nuk ishin në shkallët më të larta të hierarkisë pasurore, por dëshmuan ekzistencën e tyre në shkallët më të larta të hierarkisë shpirtërore. Elbasani është gjithashtu qyteti ku roli i mecenatit, (nga shembujt e shumtë që gjenden) shndërrohet në institucion. Plejada e parë, por edhe më tej, e mësuesve dhe intelektualëve që në dhjetëvjeçarët e parë, të dytë apo të tretë të shekullit XX do të shkollohen në Perëndim a Lindje, formohet edhe pse ky institucion funksionoi si një shtysë intelektuale dhe shpirtërore, e, po aq, edhe financiare. Ishin pikërisht treguesit e përvijuar në këtë histori shumëshekullore, vlerat e spikatura të cilat karakterizonin popullsinë në zhvillim, shekull pas shekulli, mentaliteti i kultivuar dhe psikologjia e një popullsie punëtore dhe kërkuese ndaj përpunimit, që, krahas atmosferës së ndezur patriotike dhe atdhetare që karakterizoi vitet e Rilindjes, i bëri patriotët të gjenin si vendin më të përshtatshëm për ngritjen e Shkollës Normale qytetin e Elbasanit. Padyshim, ai qytet me atë status aktual dhe të traditës plotësonte më së miri kërkesat që parashtronte ekzistenca e atij institucioni. Në dy-tre dhjetëvjeçarë, Shkolla Normale përvijoi qartë vendin e rëndësishëm të saj në arsimin kombëtar, e, për më tepër, edhe rolin e saj në historinë tonë kombëtare.
Tomorr Plangarica: Univers i Vlerave të Munguara, Sejko 2003