Ahmet Gashi
- Title
- Ahmet Gashi
- Emri
- Ahmet
- Mbiemri
- Gashi
- Data e lindjes
- September 1, 1888
- Data e vdekjes
- September 1, 1977
- Jetëshkrimi
-
Ahmet Gashi lindi më 1 shtator 1888 në gjirin e një familje atdhetare të Levkovcit të Sanxhakut të Nishit, e cila ishte dëbuar përdhunshëm nga ushtria serbe prej tokës amtare më 1878 dhe vendosur në Prishtinë.
Shkollën fillore e kreu në Prishtinë me rezultate të shkëlqyera, po ashtu edhe gjimnazin e Shkupit, ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën turke. Ai u mbrujt me heroiken e luftrave çlirimtare si dhe me programin shpëtimtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Studimet e larta Ahmeti i kreu në Stamboll, në Institutin e Lartë Pedagogjik katër vjeçar në degën Histori-Gjeografi.
Në Stamboll Ahmet Gashi u frymëzua nga atdhetarët Vëllezërit Frashëri, Pashko Vaso, Hasan Tahsini, Ibrahim Temo. Prandaj, jo rastësisht, ai gjendet në Kongresin e Manastirit për Drejtshkrimin në vjeshtë 1908. Që aty u ushqye me përgjegjësinë dhe detyrimin për përhapjen e programeve dhe hartimin e teksteve për gjuhën dhe arsimin kombëtar.
Kjo e afroi me prijës të tillë si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Sefer, Said Najdeni (Hoxhë Voka), Nexhip Draga, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Bajram Curri, Ramadan Zaskoci, Islam Spahiu i Lumës, etj.
Gjatë viteve dramatike 1908-1912 ai propagandoi idetë rilindase për kryengritje kundër pushtuesve otomanë dhe armiqve fqinjë që kishin zënë tokat shqiptare. Në çlirimin e Prishtinës Ahmet Gashi dha ndihmesë në neutralizimin e mijëra ushtarëve osmanë, duke bërë të mundur hyrjen fitimtare në qytet të kryengritësve me Hasan Prishtinën në krye. Ai mori pjesë edhe vetë në shumë luftime të përgjakshme dhe në Kuvendin e Vlorës shërbeu si sekretari i Isa Boletinit.Me rekomandimet e Luigj Gurakuqit dhe Aqif Pashë Biçakçiut, Ahmet Gashi u emërua mësues në Normalen e Elbasanit në shtator 1913. Gjatë periudhës 20 vjeçare që shërbeu në atë shkollë lapidare, Ahmet Gashi ushtroi mësuesin, nëndrejtorin dhe drejtorin faktik, duke dhënë mësim historie, gjeografi, gjuhë shqipe, folklor, muzikë dhe instrumenta muzikorë.
Ai është themeluesi i orkestrës së parë muzikore në mbarë Shqipërinë e Mesme. Me bandën “Afërdita” të ngritur më 1918 ai ekzekutoi marshe dhe këngë atdhetare edhe në Vlorën e çliruar më 1920.
Në Elbasan ai organizoi grupe kulturore intelektualësh, artistësh teatrorë dhe shoqatën futbollistike që synonin edukimin e gjërë kulturor në funksion të rrënjosjes së idealeve atdhetare dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.
Në janar 1920 Ahmet Gashi ishte anëtar i Grupit Nismëtar të Kongresit të Lushnjës, së bashku me Aqif Pashën. Ai hartoi objektivat arsimore të Qeverisë Delvina, për një arsim laik, kombëtar, të unifikuar.
Ai ishte gjithashtu bashkëorganizues i Kongresit të Parë të Arsimtarëve në gusht 1920 në Lushnje, ndihmës i ministrit të arsimit Sotir Peci. ishte ndër dhjetë arsimtarët më të shquar të kohës, krahas Aleksandër Xhuvanit, Ilia Dilo Sheperit, Aleko Kondit, Dhimitër Bellkamenit etj. Dha ndihmesë në dy kongreset e tjera të Arsimit më 1922 dhe 1924, në hartimin e dokumentacionit dhe rregulloreve shkollore, si regjistra, amza, dëftesa etj, në botimin e Revistës Pedagogjike, ku trajtoheshin mjaft probleme organizative, gjuhësore, konceptuale dhe programore të arsimit kombëtar.
Nga 1933 deri në 1939 Ahmet Gashi shërben si mësues dhe nëndrejtor i institutit Femnror Nëna Mbretëreshë. Aty vijon punën e tij hulumtuese dhe krijuese në hartimin e teksteve të historisë e gjeografisë për Shqipërinë Londineze dhe trevat e tjera shqiptare për shkollat e mesme. Një mpment kulminant ishte hartimi dhe botimi i Hartës të Shqipërisë së Vërtetë apo Etnike-Natyrore. (sipas fjalëve të tij “aty ku i thonë ujit - ujë dhe bukës - bukë” dhe “ku i kemi varret e të parëve”). Me këtë vepër ai e shënjoi veten si themelues i Hartografisë Moderne Shqiptare, të cilës i referohen të gjithë albanologët, ballkanologët dhe studiuesit seriozë. Shoqata mbarëbotërore National Geographic e pranoi atë anëtar me të drejta të barabarta.
Ai shkroi një sërë artikujsh për historinë tonë që nga Mesjeta, përfshi shekujt 19 dhe 20, ku përshkruan përpjekjet e shovinistëve fqinj për kapjen dhe shkombëtarizimin e tokave shqiptare duke i shoqëruar ato me harta të hollësishme me shpjegimet përkatës.
Gjatë viteve 1943-1944 Ahmet Gashi ndihmoi në përhapjen e arsimit shqip në “Tokat e Lirueme” (Kosovë-Maqedoni, Sanxhak e gjetkë) punë e filluar që në vitin 1941 nga kolegët e tij. Ai hetoi shumë treva kufitare ku rrezikohej mjaft identiteti ynë gjuhësor dhe kulturor dhe këshilloi masat që mund ta stoponin këtë proces. Me rëndësi vendimtare ishte futja e gjuhës shqipe në tërë administratën shqiptare. Për shumë muaj, ai shërbeu drejtor i gjimnazit Sami Frashëri në Prishtinë.
Në kulmin e lulëzimit të miqësisë ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, Profesori Ahmet Gashi kundërshtoi të gjitha sugjerimet e jugosllavëve për të ndryshuar hartat dhe tekstet e historisë e gjeografisë të hartuara nga ai. Atëhere pushteti komunist i hoqi ato nga qarkullimi dhe i zëvëndësoi me veprat e sovjetikëve shqipfolës.
Dy djem të tij, Luani dhe Fatoni pasi luftuan në Kosovë kundër ripushtimit të saj sllavokomunist, u arratisën dhe vijuan veprimtarinë atdhetare. Moment kulminant i kësaj veprimtarie është përfshirja e Kosovës në LIstën e Popujve të Robëruar të Europës.
Ndonëse me statusin e “mësuesit të gjeografisë për shkollën shtatëvjeçare” Ahmet Gashi mbeti këshilltari i studiuesve, historianëve, gjeografëve, arkeologëve, etnologëve dhe antropologëve në të gjitha viser e banuara nga shqiptarët, përfshi arbëreshët dhe arvanitasit, si dhe diasporën. Ai ndërroi jetë në ditën simbolike të 1 shtatorit 1977 me pengun e madh që nuk mbijetojë të shohë bashkimin kombëtar.
Pas vitit 1990, në Shqipëri i është dhënë titulli “Mësues i Popullit” dhe një shkolle në Tiranë i është vënë emri i tij.
Në vitin 2016 në Prishtinë i është dhënë emri tij një gjimnazi të rëndësishëm.
Part of Ahmet Gashi
Position: 6 (117 views)

Comments
No comment yet! Be the first to add one!