Genc Trandafili
- Title
- Genc Trandafili
- Emri
- Genc
- Mbiemri
- Trandafili
- Jetëshkrimi
-
Genc Trandafili njihet në rrethin e arsimtarëve, intelektualëve, por edhe të qytetarëve të Elbasanit si mësues dhe metodist i talentuar, krijues i apasionuar dhe i pakonkurueshëm në fushën e tij.
Pas mbarimit të studimeve të larta në Universitetin e Tiranës, në degën Histori - Gjeografi, do të fillonte detyrën e mësuesit në fshatin Shelcan dhe më pas në Shkollën Normale, në të cilën qëndroi për 9 vite si mësues. Më pas iu besua një detyrë tjetër, ajo e Inspektorit në Drejtorinë Arsimore të Elbasanit.
Nga viti 1983 e deri në daljen në pension më 2009, Genc Trandafili punoi si mësues i Gjeografisë në Shkollën Normale.
Plot 35 vjet punë dhe kontribute të shquara dha ai për shkollën dhe qytetin e tij të Elbasanit, si mësues dhe metodist, autor tekstesh metodike në ndihmë të mësuesve dhe studentëve të Universitetit që përgatiteshin për të dalë mësues të lëndës së Gjeografisë, si dhe libra e albume historike për traditën dhe pasurinë dokumentare që ka pasur e vazhdon të ketë Muzeu i Shkollës Normale, ku ai për shumë vite, punoi i apasionuar pas tij.
Krahas mësimdhënies në Shkollën Normale, i vlerësuar jo vetëm nga autoritetet arsimore vendore apo qendrore, por i vlerësuar maksimalisht edhe nga vetë nxënësit e shkollës dhe studentët e Universitetit "A.Xhuvani", punoi për disa vite si pedagog i jashtëm.
Për shumë vite me rradhë, i caktuar nga Sektori i Kualifikimit pranë Drejtorisë Arsimore të rrethit, ka kryer me kompetencë shkencore e metodike, detyrën e formatorit për trajnim metodik të mësuesve të shkollave të mesme e 8 - vjeçare të rrethit. Po kështu ai ka qenë pjesë si anëtar i grupit të projektit "Kualida", për përgatitjen e materialeve dhe kualifikimin e mësuesve të Gjeografisë në shkallë kombëtare.
Gjithashtu Genci ka qenë edhe Anëtar i Këshillit Kombëtar të Gjeografisë, duke u vlerësuar nga Ministria e Arsimit për kapacitetin e tij si specialist në këtë fushë.
Për punën dhe kontributet e tij, ndoshta meriton një monografi të plotë. Është autor dhe bashkëautor në ide dhe realizim të ekspozitave dokumentare për kulturën materiale e shpirtërore të trevave të Elbasanit, në ide dhe realizim të Muzeut Etnografik të qytetit dhe me peshën më të plotë, me Muzeun Historiko - Pedagogjik të Shkollës Kombëtare të Normales.
Po kështu Genc Trandafili është shquar edhe në fushën e didaktikës, nëpërmjet seminareve dhe botimeve të tij në këtë drejtim për lëndën e Gjeografisë.
Ai njihet si një nga njerëzit më të apasionuar, si një arkivistët model, që me vullnet e dëshirë të jashtëzakonshme arriti të mbajë gjallë përmes Muzeut të Shkollës Normale jehonën e kësaj të fundit.Për çdo pasdite, deri në orët e vona të mbrëmjes, Gencin do ta gjeje në muze, pranë arkivit që pasurohej, pranë objekteve dhe fondit të fotografisë. Muzeu ishte një qendër edukimi, vlerësimi për traditën arsimore, për personalitete që ka nxjerrë dhe kanë punuar në këtë shkollë. Në vlerësimin e Presidencës shkruhet: "Është shquar gjithnjë për punë me pasion dhe arritje të larta në punën mësimore - edukative me nxënësit, për përgatitje pedagogjike, metodike e shkencore, duke u bërë shembull edhe për mësuesit e tjerë". Padyshim kontribut të veçantë në këtë vlerësim ka dhënë edhe Genci, i cili e ka skalitur mirë emrin e tij si një arsimtar i zoti, që me dashamirësinë për qytetin kaloi përtej detyrës së tij, duke i lënë qytetit si kujtim një vlerë të paçmueshme.
Një shkrim nga: Sami Domni
Part of Genc Trandafili
Position: 3 (183 views)

Comments
No comment yet! Be the first to add one!