Koleksion fotosh nga jeta e Shkollës Normale

  • Kjo foto është bërë në shtëpinë e familjes së Dëshmorit të LANÇ, Thoma Kalefi.
    Kjo foto është bërë në shtëpinë e familjes së Dëshmorit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Thoma Kalefi, shtëpi në Lagjen "Shkumbini", sot Lagjja "Shënkoll", shtëpi që sot nuk ekziston më. Në foto, nga e majta në të djathtë janë: Anastas Boro (Bora), ish mësues në Shkollën Pedagogjike "Luigj Gurakuqi", Elbasan. Pas tij, me veshje (rroba të zeza), Lumturi Toda (Kalefi mbiemri i vajzërisë), mbesa e Dëshmorit të Atdheut Thoma Kalefi (nëpunëse në PT Elbasan, sot në pension). Pas saj, z. Hipokrat Biba, në mos gaboj në atë kohë Drejtor në Shkollën Pedagogjike në Elbasan (tashmë i ndjerë). Në të majtë të z. Biba, është Theofani (Fanka) Rama (Peçini mbiemri i vajzërisë, kushërirë e parë me Dëshmorin Thoma Kalefi, e ka djalë halle, tashmë e ndjerë). Pas tyre në këmbë, Dhurata Zaçe (Kalefi mbiemri i vajzërisë, në atë kohë nxënëse në Shkollën e Mesme të Mjekësisë "Haxhire Myzyri", Elbasan. Pasi mbaroi dhe Shkollën e Lartë të Mjekësisë së Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Tiranë, punoi në disa qytete si Mjeke, sot në pension). Në të majtë të zj. Fanka Rama, është veteranja dhe luftëtarja e patrembur gjatë LANÇ, një nga organizatoret e Kongresit të Grave në Berat, 4 nëntor 1944, zj. Evanthi Peçini (tashmë e ndjerë), nëna e Llambi Peçinit dhe gjyshja e z. Stefa Bebi (tashmë i ndjerë). Evanthi Peçini Dëshmorin Thoma Kalefi e ka djalin e vëllait të bashkëshortit të saj. Pas zj. Peçini, në mos gaboj është z. Jorgji Shuteriqi (tashmë i ndjerë), bashkëkohës dhe shokë lufte edhe në Ish Jugosllavi me Dëshmorin Thoma Kalefi. Në të majtë të z. Shuteriqi, është z. Grigor Kallajxhiu (tashmë i ndjerë), banor i vjetër në lagjen Shënkoll, mësues në Shkollën Pedagogjike dhe më pas Drejtor i kësaj shkolle për disa vite. z. Kallajxhiu është babi i Doktor Minait, i Klementit dhe i Dhuratës (Valera mbiemri martesor). Pas z. Kallajxhiu, është Firuze Kalefi, zonja e Familjes Kalefi (tashmë e ndjerë) që gjithë jetën e mbajti derën të hapur në nderim të kunatit të saj, Dëshmorit Thoma Kalefi. Në anë të Firuzit, me veshje të bardha, është Xhuljeta Kalefi (Mino mbiemri i vajzërisë), bashkëshortja e Frederik Kalefit, djali i vetëm i Firuzit, dhe nipi i Dëshmorit Thoma Kalefi. Sot Frederiku dhe Xhuljeta kanë dy djem të mrekullueshëm, Thoma Kalefin, Mjek Ansestezist në Spitalin Neurologjik në Tiranë, që trashëgon me krenari dhe dinjitet emrin e Dëshmorit të LANÇ, Thoma Kalefi. Djali tjetër është Bruno Kalefi, Mjek Stomatolog shumë i sukseshëm kudo ku ka punuar dhe punon. Dy vajzat me përparëse të zezë dhe jakë të bardhë, uniformë shkolle, janë nxënëse (në atë kohë) të Shkollës Pedagogjike Elbasan, dhe u kërkoj shumë ndjesë që nuk më kujtohen emrat e tyre. Shpresoj të kenë mundësi ta shohin këtë foto, që të plotësohet me të gjithë. Dy fëmijët e ulur janë Elinda Duro (Toda mbiemri i vajzërisë, në atë kohë nxënëse në Shkollën 8-vjeçare Jeronim de-Rada Elbasan, vajza e Lumturisë dhe motra ime). Djali me Shami Pionieri, jam unë Bardhul Toda, në atë kohë nxënës në Shkollën 8-vjeçare Jeronim de-Rada Elbasan. Fotoja me shumë, shumë mundësi, është bërë më datë 1 dhjetor 1979, me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Shkollës Normale të Elbasanit, në shtëpinë ku banonte Familja e Dëshmorit të LANÇ Thoma Kalefi, ish nxënës i Normales, që la Shkollën dhe jetën ia kushtoi çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe nazistë. Duke shpresuar t'iu kem ndihmuar, ju uroj punë të mbarë në këtë sipërmarrje të bukur dhe të domosdoshme! Për gjithçka di, dhe për gjithçka mendoni që mund të di, jam i gatshëm të bashkëpunoj me ju! Shënimet më sipër janë sjellë nga Z. Bardhul Toda
Browse all